Protesta u shënua nga thirrje të shumta kundër kryeministrit Rama, ndërsa slogane si “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Mjaft më! Populli kërkon dinjitet, drejtësi dhe ndryshim” dominuan tubimin. Pjesëmarrësit theksuan se nuk do të ndalojnë pa arritur dorëheqjen e kryeministrit.

Në protestë u bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga Diaspora, të cilët mbështetën kërkesat e qytetarëve. Marshimi u shoqërua gjithashtu me thirrje për hetimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion nga SPAK. U shpreh solidaritet me personat e ndaluar në protestën e mëparshme pranë Kuvendit.

Gjatë tubimit, u dëgjuan thirrje të drejtpërdrejta kundër klasës politike në përgjithësi, si dhe ndaj figurave specifike politike. Protestuesit brohoritën “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj kryeministrit aktual dhe ish-kryeministrit.