Protesta e BDI-së, dega Tetovë, vjen si reagim ndaj shfuqizimit të emërtimeve të miratuara 18 vjet më parë. Kjo është protesta e dytë me të njëjtin qëllim, pas asaj të mbajtur më 26 qershor.

Sipas BDI-së, Komuna e Tetovës nuk dorëzoi katër herë dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, veprim që rezultoi në shfuqizimin e vendimit dhe rikthimin e emrave të vjetër të rrugëve dhe sheshit. Partia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal dhe publikim të dokumentacionit, por këto kërkesa u refuzuan ose nuk morën përgjigje nga komuna.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e vitit 2007 për emërtimet e rrugëve dhe sheshit “Iliria” në Tetovë, duke konstatuar shkelje të procedurës ligjore. Vendimi i Gjykatës, i miratuar më 17 qershor 2026, thekson se Komuna e Tetovës nuk dorëzoi kërkesën dhe pëlqimin e qeverisë, siç parashikohet nga neni 5, paragrafi 2 i Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Gjykatës Kushtetuese drejtuar si Komunës së Tetovës ashtu edhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dokumentacioni i plotë, përfshirë pëlqimin e qeverisë ose dëshmi të kërkesës për pëlqim, nuk u dorëzua. Vendimi i Gjykatës u bazua në mungesën e këtyre dokumenteve, duke konkluduar se nuk ishte përmbushur kushti ligjor për miratimin e emrave të rinj.

Vendimi i vitit 2007, i cili zëvendësoi emrat nga periudha e monizmit me emra shqiptarë dhe maqedonas, si 'Iliria', 'Dervish Cara', 'Mehmet Pashë Deralla', 'Kongresi i Manastirit', 'Abdyl Frashëri', dhe 'Sami Frashëri', u kontestua në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2025 nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë.