Protesta, e organizuar nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, vjen pasi kompania "Vita" ndërpreu grumbullimin dhe përpunimin e qumështit. Fermerët shprehën shqetësim për mosgrumbullimin e qumështit të freskët dhe mungesën e përgjigjes nga institucionet kompetente.
Ata paraqitën tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve të analizave për produktet vendore për të larguar dyshimet, dhe kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit për të shmangur falimentimin e fermave.
Kriza u thellua pas njoftimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) javën e kaluar, se kishte gjetur mospërputhje me legjislacionin në fuqi në kompaninë "Vita". Inspektimet e AUV-së zbuluan se fabrika në Istog kishte shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit.
Drejtori i Përgjithshëm i "Vita", Arton Spahija, deklaroi se vendimi për ndërprerjen e punës ishte marrë nga bordi i kompanisë pas inspektimeve. AUV-ja ka njoftuar se rezultatet përfundimtare nga analizat laboratorike priten në vazhdim.