Protestat në Shqipëri kanë hyrë në muajin e dytë. Fillimisht ato kundërshtonin ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Këto tubime janë shndërruar në një simbol të pakënaqësisë ndaj korrupsionit në vend, raporton France 24.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence rreth projektit. Ky projekt, i nisur në fund të majit, lidhet me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Qindra qytetarë u mblodhën para Kuvendit të Shqipërisë më 2 korrik, në tentativë për të bllokuar hyrjen e deputetëve. Ky veprim shënon një përshkallëzim të tubimeve, të cilat më parë zhvilloheshin paqësisht. Në një rast tjetër, gjashtë persona u arrestuan pas hedhjes së vezëve drejt makinave të zyrtarëve.

France 24, duke cituar gazetarë të AFP-së, raporton se policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spraj piper dhe autobotë uji për të shpërndarë protestuesit. Disa protestues thyen xhamat e një automjeti policie. Përplasjet rezultuan me të lënduar dhe të shoqëruar nga të dyja palët.