Protesta, e cila nisi si reagim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar në një revoltë të gjerë kundër klasës politike. Kërkesat kryesore përfshijnë largimin e kryeministrit dhe ndërtimin e një sistemi të ri politik.

Organizatorët kanë theksuar se protesta do të mbetet paqësore. Thirrjet si “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik” dhe “Revolucion” pritet të dëgjohen sërish.

Dje, protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që favorizojnë interesa klienteliste.

Në podium u ngritën akuza për përdorimin e fondeve publike për një koncert. U njoftua gjithashtu një protestë kombëtare për në 11 korrik, ditën e planifikuar për zhvillimin e koncertit në Tiranë.

Organizatorët kanë pohuar se mobilizimi nuk do të ndalet. Pjesëmarrja e vazhdueshme pas 38 ditësh tregon pakënaqësinë e lartë dhe hyrjen e protestës në një fazë të re qëndrese. Qytetarët janë zotuar se do të vijojnë protestat derisa kërkesat e tyre të realizohen.