Qytetarët do të mblidhen sërish pasdite para Kryeministrisë në Tiranë. Protesta, e cila nisi si reagim ndaj një projekti në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër kastës politike dhe sistemit aktual.
Kërkesat kryesore përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas protestuesve, favorizojnë interesa klienteliste.
Organizatorët kanë theksuar se protesta do të mbetet paqësore. Ata paralajmëruan një protestë kombëtare më 11 korrik, në të njëjtën ditë kur është planifikuar një koncert në Tiranë.
Pjesëmarrja e vazhdueshme e qytetarëve pas 38 ditësh tregon pakënaqësinë e lartë dhe se protesta ka hyrë në një fazë të re qëndrese. Demonstratat pritet të vazhdojnë deri në realizimin e të gjitha kërkesave.