Qytetarët dhe aktivistët janë mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë për të vijuar protestën e tyre. Kjo lëvizje, e cila ka mobilizuar qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora, konsiderohet protesta më e gjatë dhe më e qëndrueshme e viteve të fundit. Organizatorët deklaruan se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë deri në largimin e kryeministrit.
Gjatë protestës së djeshme u përsëritën thirrjet si “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik” dhe “Revolucion”. Nëna Liza, një nga folëset në podium, rikujtoi protestat e “5 Majit” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Një tjetër protestuese theksoi rëndësinë e ruajtjes së karakterit paqësor të lëvizjes dhe shmangien e dhunës për arritjen e objektivave.
Një moment i veçantë ishte fjala e nënës së aktivistit Arbër Lleshaj. Ajo foli për arrestimin dhe, sipas saj, dhunimin e djalit të saj gjatë protestave të javës së kaluar. Kjo ngjarje, sipas saj, e ka bërë atë edhe më të vendosur për të qenë pjesë e protestës çdo ditë. Organizatorët kanë konfirmuar se tubimet do të vijojnë në ditët në vijim, me rikthimin e pritshëm të qytetarëve edhe këtë pasdite.