Qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora janë mobilizuar prej më shumë se një muaji në këtë lëvizje. Ajo nisi si reagim ndaj projektit në Zvërnec, por ka evoluar në një protestë më të gjerë kundër kastës politike dhe sistemit.
Protestuesit u mblodhën sërish pasdite në bulevard, duke përsëritur thirrje si “Rama ik” dhe “Revolucion”. Organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë çdo ditë derisa kryeministri të largohet.
Gjatë tubimit të djeshëm, aktivistë dhe qytetarë mbajtën fjalime. Nëna Liza kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Një protestuese tjetër theksoi rëndësinë e ruajtjes së karakterit paqësor të lëvizjes dhe shmangies së dhunës për arritjen e objektivave. Një moment emocional ishte fjala e nënës së aktivistit Arbër Lleshaj, e cila foli për arrestimin dhe dhunimin e të birit gjatë protestave të javës së kaluar, duke u shprehur më e vendosur për të marrë pjesë çdo ditë.
Kjo është kthyer në protestën më të gjatë dhe më të qëndrueshme të viteve të fundit në Shqipëri.