Veprimet hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, çuan në identifikimin e 12 personave të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme. Gjatë tubimit, pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe u shkaktuan dëme në godinën e komisariatit.
Shtetasi E.H., 33 vjeç, u ndalua nga policia. Shtatë persona të tjerë, me iniciale K.M., V.K., E.L., Sh.B., V.D., E.N. dhe B.K., janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Katër shtetas janë shpallur në kërkim. Identiteti i tyre nuk është bërë publik, pasi hetimet vijojnë.
Grupi hetimor vazhdon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Akuzat përfshijnë “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.