Autoritetet kanë njoftuar arrestimin e 19 individëve dhe procedimin penal të 12 të tjerëve, pas përplasjeve që shpërthyen gjatë tubimit një ditë më parë para Kuvendit. Të arrestuarit akuzohen për kundërshtim dhe goditje të efektivëve të rendit, dëmtim të një automjeti policie dhe sulm ndaj deputetëve.
Një ndër të arrestuarit, shtetasi A. Ll., 35 vjeç, dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë protestës. Nga incidentet, 15 punonjës të Policisë së Shtetit pësuan lëndime dhe një automjet policie u dëmtua.
12 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për përfshirjen e tyre në ngjarje. Policia po punon për identifikimin e gjashtë personave të tjerë të dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Akuzat përfshijnë “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.