Tirana përjetoi sot ditën e 33-të të protestës lidhur me çështjen e Zvërnecit, e cila kulmoi me përplasje para Kuvendit. Gjatë paradites, protestuesit hodhën vezë dhe miell ndaj deputetëve, duke shprehur pakënaqësinë ndaj përfaqësimit të tyre.

Kjo situatë shkaktoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Sipas protestuesve, policia përdori dhunë, shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Një protestues dyshohet se ka pësuar thyerje të hundës, ndërsa pati edhe arrestime.

Më pas, protestuesit u grumbulluan në sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë fjalimeve, një nga folësit theksoi se veprimet e sotme treguan se "Ramës dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi". Ai shtoi se protesta do të vazhdojë në mënyrë paqësore deri në dorëheqjen e kryeministrit.

Nismëtari Alben Kola u bëri thirrje qytetarëve të mos provokohen nga policia dhe të ruajnë qetësinë. Ai theksoi rëndësinë e një revolucioni paqësor për të rrëzuar qeverinë.