Tensionet shpërthyen të enjten në Tiranë gjatë një proteste para Parlamentit. Qytetarët u mblodhën në mëngjes kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, teksa brenda zhvillohej seanca plenare.

Raportohet se protestuesit kanë qëlluar me vezë deputetët. Si pasojë, tetë persona janë shoqëruar në polici. Tre efektivë policie pësuan lëndime dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Incidentet u shënuan pas tentativave të protestuesve për të thyer kordonin e policisë, çka çoi në përplasje fizike dhe përdorim të sprajit lotsjellës nga ana e forcave të rendit.

Masa të shtuara sigurie rrethonin Parlamentin. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, ishin pozicionuar një autoblindë dhe një autobot uji. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi se nuk do të merrte pjesë në seancën plenare, duke argumentuar se Kuvendi ishte rrethuar nga policia për të shuar zërin e qytetarëve protestues.

Kjo protestë vjen pas një tjetre të zhvilluar të martën, ku gjithashtu u regjistruan incidente, përplasje fizike dhe hedhje mjetesh piroteknike para Parlamentit.