Njëzet e nëntë persona janë arrestuar dhe proceduar penalisht nga Policia e Tiranës pas protestës së zhvilluar dje pranë Kuvendit të Shqipërisë. Policia njoftoi se 19 shtetas janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Punohet për identifikimin e gjashtë personave të tjerë.
Gjatë tubimit, protestuesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e policisë. Si pasojë, 15 efektivë policie pësuan dëmtime. Po ashtu, u dëmtua një automjet policie dhe u sulmuan disa deputetë. Një nga të arrestuarit dyshohet se goditi edhe një gazetar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Akuzat përfshijnë “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.