Njëzet e nëntë persona u arrestuan dhe dymbëdhjetë të tjerë u proceduan penalisht nga Policia e Tiranës pas protestës së zhvilluar para Kuvendit. Incidentet përfshinë kundërshtimin e forcave të rendit, dëmtimin e një automjeti policie dhe sulmin ndaj deputetëve gjatë tubimit.

Mes të arrestuarve është një 35-vjeçar, i dyshuar për goditjen e një gazetari. Autoritetet bënë me dije se 15 punonjës të Policisë së Shtetit mbetën të lënduar gjatë përplasjeve. Gjithashtu, një automjet policie pësoi dëmtime.

Dymbëdhjetë persona u proceduan penalisht në gjendje të lirë për përfshirjen në ngjarje. Policia vijon punën për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Akuzat përfshijnë “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.