Në protestën e 37-të kundër kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë theksuar sërish kërkesat e tyre të panegociueshme. Ndër kërkesat kryesore është dorëheqja e kryeministrit Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

Ata propozojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me një mandat të qartë 12-mujor. Gjithashtu, protestuesit kërkojnë hartimin e një Kushtetute të re, e cila do të miratohet me referendum popullor dhe do të garantojë barazinë e plotë të shtetasve para ligjit.

Kjo reformë kushtetuese përfshin ndryshimin e Kodit Zgjedhor, të ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës politike të një individi.

Kërkesat ekonomike dhe mjedisore mbeten në fokus. Këto përfshijnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” dhe “Trashëgiminë kulturore”. Po ashtu, kërkohet shfuqizimi i “Paketës së Maleve” dhe i kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Protestuesit synojnë edhe një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë dhe qytetarë të propozuar nga sheshi i protestës.