Qytetarët dhe aktivistët u mblodhën pasditen e së premtes në Tiranë për të protestuar për të 34-tën ditë rresht. Tubimi filloi në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, prej ku protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë.

Protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Ndër kërkesat kryesore të organizatorëve përfshihet edhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor.

Marshimit iu bashkuan fëmijë të mitur dhe të moshuar, pavarësisht temperaturave të larta. Ata u shprehën zëshëm me thirrjet: “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Dorëheqje”.

Kryeministri Edi Rama komentoi protestën gjatë një eventi, duke theksuar se ajo ka rëndësinë e saj themelore për shqetësimet e qytetarëve. Megjithatë, ai shtoi se në pjesën e zhurmshme janë mbledhur “dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”. Rama lidhi zemërimin e qytetarëve me problemet në administratën publike.

Ambasada Ruse në Shqipëri reagoi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, të cilët përmendën Rusinë si aktor ndikues në protesta. Ambasada i quajti këto pretendime “krejtësisht të pabaza”, duke theksuar parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Një ditë më parë, pas përplasjeve gjatë protestës para Kuvendit, Policia e Tiranës arrestoi 19 persona dhe procedoi penalisht 12 të tjerë. Të arrestuarit akuzohen për kundërshtim dhe goditje të efektivëve, dëmtim të automjetit të policisë, si dhe sulm ndaj deputetëve. Mes tyre ishte edhe një person i dyshuar për goditjen e një gazetari. Si pasojë e përplasjeve, 15 punonjës policie mbetën të lënduar.