E-maili i brendshëm, i dërguar dy orë para fillimit të protestave të planifikuara, sinjalizoi nisjen e mundshme të procedurave disiplinore ndaj punonjësve që do të merrnin pjesë. Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, dyshohet se ka nënshkruar këtë e-mail.

Sindikata “Solidariteti” argumenton se Ligji për Tubimet Publike u garanton punonjësve të drejtën për të protestuar gjatë orarit të punës. Megjithatë, Petrova theksoi se punonjësit kanë të drejtë për grevë, por jo për protesta paqësore gjatë orarit zyrtar.

Kryetari i sindikatës “Solidariteti”, Vase Nedanoski, deklaroi se shumë punonjës u ankuan pasi u informuan se pjesëmarrja në protestë konsiderohet shkelje e detyrave të punës dhe do të pasohet nga përgjegjësi disiplinore. Ndërkohë, edhe kryetari i sindikatës tjetër përfaqësuese në DAP, SADU, u bëri thirrje punonjësve të mos merrnin pjesë.

Edhe pse protesta nuk u mbajt, përfaqësuesit e sindikatës “Solidariteti” presin një takim me udhëheqësinë e DAP-it për të diskutuar situatën. Ata nuk përjashtojnë mundësinë e organizimit të një greve në të ardhmen.

Motivi kryesor për organizimin e protestave dy-orëshe ishte mospërfitimi i rritjes prej 7% të pagës dhe harmonizimi me pagën minimale, që do të sillte 1.600 denarë shtesë, premtime që punonjësit nuk i kanë marrë prej katër muajsh.