Protestuesit, të mbledhur para Kryeministrisë, theksuan se po tregojnë qytetari evropiane. Ata i bënë thirrje kryeministrit të largohet, duke e akuzuar për tradhti. Kërkesat kryesore mbeten dorëheqja e Ramës dhe e gjithë qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore.
Kjo qeveri teknike duhet të jetë jopartiake, me një mandat 12-mujor dhe me objektiv hartimin e një Kushtetute të re. Reforma kushtetuese përfshin ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ligjit për financimin e partive dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate.
Po ashtu, protestuesit insistojnë në kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore. Këto përfshijnë anulimin e ndryshimeve në ligjet për “Zonat e Mbrojtura” dhe “Trashëgiminë Kulturore”. Kërkohet shfuqizimi i “Paketës së Maleve” dhe i kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”. Një kërkesë tjetër është hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë dhe qytetarë jopartiakë.