Protesta qytetare vijon sot me ditën e 38-të para godinës së Kryeministrisë. Qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora janë mobilizuar për më shumë se një muaj, duke e kthyer këtë në protestën më të gjatë dhe të qëndrueshme të viteve të fundit. Ajo filloi si reagim ndaj projektit në Zvërnec, por është zgjeruar në një lëvizje kundër kastës politike, me kërkesën kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit të djeshëm, protestuesit përsëritën thirrjet si “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik” dhe “Revolucion”. Organizatorët theksuan se protesta do të vazhdojë çdo ditë derisa kryeministri të largohet. Në podium folën aktivistë dhe qytetarë. Një protestuese theksoi rëndësinë e ruajtjes së karakterit paqësor të lëvizjes dhe shmangien e dhunës për arritjen e objektivave.
Një moment i veçantë ishte fjalimi i nënës së aktivistit Arbër Lleshaj. Ajo foli për arrestimin dhe dhunimin e djalit të saj gjatë protestave të javës së shkuar. Ajo u shpreh se kjo ngjarje e ka bërë edhe më të vendosur për të marrë pjesë çdo ditë në protestë. Tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qytetarët që rikthehen sot pasdite para Kryeministrisë.