Protestat antiqeveritare në Shqipëri, të cilat zhvillohen prej më shumë se një muaji, janë pasqyruar nga gazeta gjermane “Der Standard”. Raportohet se mijëra qytetarë marrin pjesë në tubime të përditshme para Kryeministrisë dhe në rrugët e kryeqytetit.

Shqetësimet kryesore të protestuesve përfshijnë korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës, problemet në sistemin shëndetësor, pensionet e ulëta dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Një nga kërkesat qendrore të artikuluara nga demonstruesit është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka dënuar përdorimin e dhunës nga policia gjatë protestave. KShH kërkon nisjen e një hetimi të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv mbi pretendimet për tejkalim të kompetencave dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve. Kjo vjen pas incidentit ku u plagosën 15 policë dhe 25 protestues gjatë përplasjeve para Kuvendit.

Sipas KShH, protesta ka qenë kryesisht paqësore. Organizata theksoi se veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë përdorimin joproporcional të forcës nga policia, duke përmendur përdorimin pa paralajmërim të gazit lotsjellës dhe goditjen e personave të shtrirë në tokë.

Fillimisht, protestat nisën në fund të majit kundër ndërtimit të një hoteli luksoz në Zvërnec, një zonë e mbrojtur natyrore, projekt ky i lidhur me familjen Trump. Megjithatë, demonstratat janë zgjeruar duke përfshirë çështje të gjera sociale dhe politike.