Kodi Etik, i cili përfaqëson një marrëveshje morale mes deputetëve dhe qytetarëve, u prezantua në një aktivitet ku morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ambasadori Kilian Val nga Misioni i OSBE-së në Shkup, Robert Scott Hazlett nga NDI dhe Programi Zviceran për Mbështetje Parlamentare, Ajla Van Heel Merdanović nga ODIHR, si dhe Mile Lefkov, kryetar i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit.

Kryetari Gashi theksoi se dokumenti synon të sigurojë që interesi publik të mbizotërojë mbi interesin personal dhe që debati politik të zhvillohet mbi argumente, jo fyerje. Ai falënderoi deputetët, grupet parlamentare, partnerët ndërkombëtarë dhe shërbimet e Kuvendit për kontributin e tyre.

Ambasadori Val e cilësoi Kodin Etik si një hap konkret drejt një pune parlamentare më transparente, më të përgjegjshme dhe më të besueshme. Robert Scott Hazlett shtoi se Programi Zviceran për Mbështetje Parlamentare ka ofruar mbështetje që nga viti 2019 në hartimin dhe finalizimin e kësaj rregullative.

Ajla Van Heel Merdanović theksoi rëndësinë e integritetit parlamentar për forcimin e besimit të qytetarëve. Ajo mirëpriti bashkëpunimin ndërpartiak dhe përfshirjen e perspektivës gjinore. Mile Lefkov theksoi se ky Kod Etik ka mekanizma konkretë zbatimi, duke përfshirë një grup pune paritar, emërimin e një këshilltari konfidencial dhe miratimin e një udhëzuesi me ekspertizë ndërkombëtare.