Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi dy rastet e ndara të vdekjes. Ai theksoi se janë iniciuar hetime dhe se rrethanat fillestare sugjerojnë vetëvrasje.
Rasti i parë u raportua rreth orës 15:40 në rrugën “Turgut Özal” në Prizren. Një grua rreth 54-vjeçare u gjet pa jetë në banesën e saj. Ekipi i Emergjencës konstatoi vdekjen në vendngjarje.
Rasti i dytë ndodhi rreth orës 17:50, kur një burrë rreth 68-vjeçar u gjet i pajetë në një zonë pyjore në fshatin Restelicë të Dragashit. Edhe në këtë rast, ekipi i Emergjencës konstatoi vdekjen. Policia ishte në vendin e ngjarjes.
Për të dy rastet, prokurori kompetent është njoftuar dhe trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet janë iniciuar dhe po trajtohen si “Hetim i vdekjes”.