Këtë deklaratë e bëri ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale. Berisha theksoi se raporti u miratua me unanimitet të plotë në asamblenë politike të PPE, duke e cilësuar atë si një pasqyrë besnike të realitetit aktual shqiptar.
Sipas Berishës, raporti, i cili pasoi misionin faktmbledhës të PPE-së në Shqipëri më 26-27 shkurt, e përshkruan vendin si të kapur nga krimi i organizuar dhe lidhjet e tij me nivelet më të larta qeveritare. Ai përmend gjithashtu kapjen nga oligarkët dhe kartelet e drogës, si dhe rrënimin e procesit zgjedhor.
Raporti i PPE-së denoncon shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë, për shkak të përdorimit të burimeve shtetërore dhe administrative nga partia në pushtet, pjesëmarrjen aktive të krimit të organizuar dhe rrjetet politike të patronazhistëve. Gjithashtu, theksohet zhdukja e linjës ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe partisë qeverisëse, si dhe krijimi i një mjedisi të pabarabartë në treg, prokurimet publike dhe koncesionet.
Raporti dënon ndikimin e narkoeurove në qeverinë shqiptare, duke e paraqitur Shqipërinë si një “narkoshtet” dhe një rrezik madhor sigurie për Evropën. Përmendet bllokimi i luftës kundër korrupsionit nga kryeministri Edi Rama, duke cituar emra si Belinda Balluku dhe drejtoresha e AKSHI-t. Raporti gjithashtu denoncon shtypjen e pluralizmit politik dhe mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament, si bllokimi i komisioneve hetimore dhe refuzimi i interpelancave e mocioneve me debat. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese citohet si dëshmi e kapjes së pushteteve. Arritja e madhe, sipas Berishës, është kërkesa e PPE-së për një qeveri teknike.