Ceremonia e lansimit u zhvillua në objektin qendror të Postës në Prishtinë. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe të ftuar të tjerë.

Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, theksoi rëndësinë e pullës postare si mjet për ruajtjen e historisë dhe promovimin e identitetit shtetëror. Ajo deklaroi se pullat postare shërbejnë si një lidhje mes njerëzve dhe brezave, duke ruajtur ngjarjet e rëndësishme.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi pullën si simbol të miqësisë dhe partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai vuri në dukje se kjo pullë simbolizon mbështetjen vendimtare të SHBA-së për Kosovën në proceset shtetndërtuese, konsolidimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.

Zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, falënderoi Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e quajtur atë një nder për popullin amerikan. Ajo vlerësoi mirënjohjen e Amerikës për aleatët si Kosova, e cila kupton vlerën e sovranitetit dhe demokracisë.