Kryeministri Rama publikoi një video ku pretendonte se deklaratat e gazetarit Muka për Porto Palermon ishin të sajuara me inteligjencë artificiale. Në përgjigje, Boçi dënoi gjuhën e Ramës ndaj gazetarit, të cilin e quajti “agjitator të algoritmit”.
Boçi theksoi se e vërteta mbi planin e denoncuar për Porto Palermon buron nga një raport zyrtar i KLSH-së. Sipas këtij raporti, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka hartuar në mars 2022 një projekt-propozim për “Porto Palermo Marina Resort”. Projekti përfshin zhvillimin e zonës me investime strategjike, ndërtimin e një porti, resorteve me 5 yje, vende ankorimi për jahte dhe varka, si dhe rivitalizimin e tuneleve të nëndetëseve duke i kthyer në muze.
Faza e parë e projektit parashikonte përgatitjen e fizibilitetit dhe shprehjen e interesit nga investitorët privatë. KLSH-ja detajon se hapat e mëtejshëm përfshijnë miratimin nga bordi i AIC-së, miratimin nga Kryeministri, si dhe marrëveshjen e zhvillimit ndërmjet AIC-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Deputeti Boçi i kërkoi kryeministrit të publikojë një akt zyrtar që anulon çdo projekt-propozim apo studim fizibiliteti për Porto Palermon, nëse deklaratat se nuk do të ketë ndërtime janë të vërteta. Ai gjithashtu kërkoi sqarime mbi nismëtarët dhe financuesit e projektit.