Dhuratat me stemën e institucionit iu dhanë Burns në shenjë mirënjohjeje për vlerësimin e tij dy ditë më parë. Pastori vlerësoi lart punën e policisë për sigurimin e vizitës së tij dhe të objekteve fetare në Kosovë, veçanërisht atyre të Kishës Ortodokse Serbe, të cilat i vizitoi bashkë me Patriarkun Porfirije.
Mark Burns shprehu nderimin e thellë për dhuratën e marrë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare. Ai theksoi se këta zyrtarë policorë ishin caktuar të ndihmonin në sigurimin e delegacionit të tij dhe të Patriarkut Porfirije. Burns u prek thellë nga profesionalizmi, mirësia dhe gatishmëria e tyre për të shërbyer.
Pastori falënderoi popullin dhe shtetin e Kosovës, Patriarkun Porfirije, si dhe Policinë e Kosovës për mikpritjen dhe përkushtimin ndaj paqes, sigurisë dhe respektit të ndërsjellë.