Vlerësimi u bë në raportin preliminar të monitorimit, i cili përfshiu miratimin e rregullativave, konfirmimin e kandidaturave, hartimin e pyetjeve dhe intervistimin e pesë kandidatëve. Raporti përfundimtar do të publikohet në fund të procesit.

Koalicioni thekson se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka adresuar problemet e procesit të mëparshëm përmes ndryshimeve në rregullore. Këto ndryshime kanë harmonizuar procedurën me legjislacionin, kanë qartësuar kompetencat, kanë eliminuar paqartësitë dhe kanë reduktuar mundësinë e vlerësimit të dyfishtë të aftësive. Po ashtu, KPK ka publikuar konceptdokumentet e të gjithë kandidatëve.

Gjatë verifikimit të kandidaturave, nuk u evidentuan probleme. Pesë kandidatë plotësuan kriteret ligjore. Fillimisht, KPK kërkoi nënshkrimin e një deklarate konfidencialiteti nga monitoruesit, por pas kundërshtimit të tyre, kërkesa u anulua dhe monitorimi vazhdoi pa kufizime.

Procesi i hartimit të pyetjeve standarde u zhvillua në prani të monitoruesve dhe u incizua. KPK mori masa për të ruajtur konfidencialitetin e pyetjeve. Intervistimi nuk tregoi trajtim të pabarabartë të kandidatëve; të gjithë u intervistuan në të njëjtat kushte. Rezultatet u shpallën publikisht shpejt dhe intervistat u publikuan me video dhe audio.

Koalicioni thekson rëndësinë e zhvillimit të kujdesshëm dhe transparent të hapave të mbetur, duke pasur parasysh diferencat e vogla në pikë mes kandidatëve. Monitorimi do të vazhdojë deri në përfundim të të gjitha fazave procedurale.