Futbollisti kroat, Ivan Perisic, ka hyrë në historinë e Kupës së Botës. Ai ka shënuar në katër kampionate të ndryshme botërore dhe ka dhënë asistime në po aq edicione.

Perisic, 37 vjeç, është bashkuar me Lionel Messin si lojtari i vetëm që ka arritur këtë sukses. Ai ka kontribuar me gola dhe asiste në edicionet e viteve 2014 (Brazil), 2018 (Rusi), 2022 (Katar) dhe në turneun aktual (SHBA, Kanada, Meksikë).

Goli i tij i fundit, i shënuar në minutën e 53-të kundër Portugalisë, e çoi Perisicin në shtatë gola në Kupën e Botës. Me këtë shifër, ai tejkaloi Davor Suker (gjashtë gola) dhe u bë golashënuesi më i mirë i Kroacisë në historinë e Kupës së Botës.

Në total, Perisic ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në katër Kupa Botërore, duke u përfshirë direkt në 13 gola për Kroacinë. Edhe pse goli i tij ndaj Portugalisë i dha avantazhin Kroacisë, ata humbën ndeshjen 2-1 dhe u eliminuan nga faza 1/16.