Aktorja spanjolle Penélope Cruz ka ofruar një rrëfim të sinqertë mbi marrëdhënien e saj me bashkëshortin Javier Bardem. Ajo theksoi se pas 16 vitesh martesë, vazhdon të zbulojë aspekte të reja te partneri. Cruz u shpreh se një marrëdhënie e qëndrueshme kërkon përkushtim, komunikim dhe rritje të vazhdueshme, duke argumentuar se askush nuk e njeh plotësisht as veten, e jo më tjetrin.

Historia e dashurisë së çiftit nisi gjatë xhirimeve të filmit “Jamón Jamón” në vitin 1992, ku lindi një tërheqje e menjëhershme. Megjithatë, lidhja romantike u zhvillua vetëm në vitin 2008, teksa punonin për filmin “Vicky Cristina Barcelona”. Pas përfundimit të këtij projekti, ata vendosën t'i japin një shans dashurisë. Në vitin 2010, çifti kurorëzoi lidhjen me martesë në një ceremoni private në Bahamas.

Javier Bardem ka deklaruar më herët se njohja e tyre para famës ndihmoi në ndërtimin e një marrëdhënieje të bazuar te besimi, respekti dhe sinqeriteti. Cruz kujtoi gjithashtu një moment të vështirë personal: dyshimet e mjekëve për një aneurizëm në tru gjatë xhirimeve të filmit “The Black Ball”, përvojë që i ndryshoi këndvështrimin për jetën.