Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu iu refuzuan tri ankesa brenda dy javësh: dy herë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe një herë nga Gjykata Supreme. Pavarësisht refuzimeve të mëparshme, ata insistojnë në kërkesën për rinumërim.
Qëndrim Kryeziu deklaroi se do t'i paraqesë Gjykatës Supreme një dokument të ri. Sipas tij, ky dokument i fshehur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) evidenton mbi 500 vota dallim për PDK-në. Ai theksoi nevojën për një rinumërim të plotë. Edhe Bekim Haxhiu ka paralajmëruar bashkëngjitjen e të njëjtit dokument në ankesën e tij, duke e cilësuar atë si të dhëna të reja që vërtetojnë kërkesën e tyre.
Afati për dorëzimin e ankesave mbaron të premten pasdite. Deri tani, Gjykata Supreme nuk ka pranuar ankesa të tjera ndaj vendimeve të PZAP-së, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit. Gjykata Supreme ka tre ditë kohë për të trajtuar rastet, pas së cilës do të mundësohet certifikimi i rezultatit zgjedhor, i parashikuar të ndodhë më së largu më 6 korrik.