Ankimi i Partisë Demokratike lidhet me refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore për kontratat në infrastrukturën rrugore dhe për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Dokumenti është firmosur nga 46 deputetë të opozitës.
Deputetët argumentojnë se Kuvendi ka cenuar parimet kushtetuese duke refuzuar ngritjen e këtyre komisioneve. Ata i konsiderojnë ato si mekanizma thelbësorë parlamentarë për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies. Kërkesa thekson se vendimi i Kuvendit shkel të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare dhe pengon funksionin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve dhe përdorimit të fondeve publike.
Me këtë veprim, opozita kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimmarrjes së Kuvendit. Gjithashtu, ajo synon që Gjykata të shprehet mbi detyrimin për ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara.