Banorët e kryeqytetit janë ankuar për grumbullimin e mbeturinave dhe mosmbledhjen e tyre nga kompania “Pastrimi”. Kjo situatë ka pamundësuar përfundimin e ciklit të planifikuar të operimit gjatë orëve të natës, duke krijuar probleme me higjienën.

Sipas “Pastrimit”, mosrealizimi i plotë i shërbimit të grumbullimit erdhi si pasojë e ndryshimeve në orarin e operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK). KMDK vendosi mbylljen e deponisë në Mirash nga ora 00:00. “Pastrimi” paralajmëroi se grumbullimi i mbeturinave do të vazhdojë të jetë problem edhe në ditët në vijim për shkak të këtij ndryshimi.

Qytetarët kanë shprehur shqetësim për kundërmimin, ndotjen dhe kushtet jo të mira higjienike, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe vështirësojnë lëvizjen e tyre të përditshme.