Maqedonia e Veriut ka siguruar vendin e 41-të në renditjen e fundit të pasaportave më të fuqishme në botë, publikuar nga Indeksi i Pasaportave Henley për tremujorin e dytë. Ky pozicion u arrit bazuar në mundësinë e udhëtimit pa vizë në 127 vende të ndryshme.

Indeksi Henley, i cili vlerëson fuqinë e pasaportave të 199 vendeve, bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA). Kriteri kryesor i renditjes është numri i vendeve ku qytetarët mund të hyjnë pa pasur nevojë për vizë.

Singapori kryeson listën, duke u ofruar qytetarëve të tij qasje pa viza në 192 vende. Vendi i dytë ndahet nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me 188 vende. Suedia pozicionohet e treta, duke lejuar udhëtimin pa viza në 187 shtete. Ndërsa vendin e katërt e ndajnë Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja, me qasje në 186 vende. Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra zënë vendin e pestë, me mundësinë e udhëtimit pa vizë në 185 shtete.