Renditja më e re e pasaportave më të fuqishme, sipas Indeksit të Pasaportave Henley Q2, ka publikuar pozicionin e Maqedonisë së Veriut. Pasaporta e vendit zë vendin e 41-të nga gjithsej 199 shtete të përfshira në vlerësim.

Kjo pasaportë u mundëson qytetarëve udhëtimin pa viza drejt 127 shteteve të ndryshme anembanë botës. Indeksi bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), duke pasur si kriter primar numrin e vendeve ku mund të hyhet pa kërkuar vizë.

Në krye të kësaj liste për këtë vit është Singapori, me qasje pa viza në 192 vende. Vendin e dytë e ndajnë Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat ofrojnë udhëtim pa viza në 188 vende. Suedia pozicionohet në vendin e tretë, me mundësinë e udhëtimit në 187 vende pa viza.