Partia Demokratike Europiane ka reaguar sërish lidhur me situatën politike dhe protestat në Shqipëri kundër qeverisë. Përmes një deklarate publike, kjo forcë politike dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe kritikoi mungesën e dialogut nga autoritetet shqiptare.
Reagimi thekson kohëzgjatjen e revoltës qytetare dhe përgjigjen joproporcionale të autoriteteve, duke iu referuar përdorimit të forcës nga policia. Deklarata shprehet: “Tridhjetë e tri ditë pa përgjigje. Tridhjetë e tri ditë pa dialog. Dhe tani, shumë shpesh, me shkopinj gome në vend të dëgjimit. Kjo nuk është mënyra se si sillet një demokraci: pushteti nuk duhet të bëhet kurrë i papërgjegjshëm, i hermetizuar ndaj qytetarëve, dhimbjes dhe pyetjeve të tyre. Shqipëria meriton institucione që përgjigjen, jo institucione që godasin.”
Pavarësisht përplasjeve, zyrtarët europianë kanë veçuar praninë e simboleve të Bashkimit Europian, krahas atyre kombëtare, në tubimet në kryeqytet. Ky detaj tregon aspiratën e qytetarëve shqiptarë dhe rikonfirmon se vendi i Shqipërisë është në Europë, me demokracinë funksionale si urën e vetme për të arritur këtë qëllim.