Votimi u zhvillua më 13 korrik 2026. Partia në pushtet Tisza, e kryeministrit Péter Magyar, përdori shumicën e saj prej dy të tretash për të miratuar Amendamentin e 17-të të Kushtetutës. Ky amendament i dha fund mandatit të Sulyokut, si dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Pater Polt.

Kjo ngjarje shënon momentin më dramatik në parlament që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re në maj, pas fitores së saj ndaj partisë Fidesz të ish-kryeministrit Viktor Orban në zgjedhjet e 12 prillit. Tamas Sulyok konsiderohej një aleat i Orbanit, i cili kishte qeverisur për 16 vjet.

Presidenti Sulyok ka pesë ditë kohë për të nënshkruar amendamentin, duke vulosur largimin e tij nga posti, ose për ta dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Magyar ka paralajmëruar se, nëse Sulyok zgjedh opsionin e dytë, do të nisë procedurat për shkarkimin e tij, gjë që do ta pezullonte automatikisht nga detyra.

Një alternativë tjetër për Sulyok është dorëheqja, me qëllim shmangien e një krize kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare Fidesz braktisën sallën para votimit, duke akuzuar partinë Tisza se po ndërton një regjim tiranik dhe se amendamenti i jep qeverisë kompetenca arbitrare për të shkarkuar menjëherë çdo zyrtar publik.