Operacioni policor i koduar “Remote” u zhvillua nga Komisariati i Policisë së Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër. Ky veprim erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Në fshatin Stajkë, në orët e para të mëngjesit, policia ndaloi një automjet për kontroll. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular dhe e përshtatur për shpërthim në distancë. Si provë materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Pas veprimeve të para hetimore, Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës, u vu në pranga. Ndërkohë, shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i dyshuar.
Hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdojnë për të zbuluar destinacionin dhe qëllimin e transportimit të lëndës plasëse, si dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.