Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe Hetimi i Krimeve të Rënda në DVP Shkodër finalizuan me sukses operacionin “Remote”. Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, efektivët arrestuan 38-vjeçarin E. B., banues në Spitallë, Durrës, i cili po transportonte një armë shpërthyese.

Policia kishte siguruar informacion operativ se një shtetas po transportonte një armë të rrezikshme drejt zonës së Shkodrës. Një pritë u organizua në fshatin Stajkë, ku automjeti i dyshuar u ndalua për kontroll. Brenda mjetit, u gjet dhe u sekuestrua një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular, gati për shpërthim.

Si prova materiale u sekuestruan mina me telekomandë, automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë. Këto dëshmi shtojnë dyshimet për një atentat të planifikuar. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij i dyshuar, 34-vjeçari E. P., po ashtu banues në Durrës, është shpallur në kërkim.