Osman Selmani u arrestua nga policia serbe ndërsa po kthehej në Kosovë. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Selmani dyshohet për krime lufte.

Sipas njoftimit të MPB-së, ekzistojnë dyshime se më 14 qershor 1999, në Sofali të Prishtinës, ai, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, vrau çiftin serb Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq me armë të ftohta dhe zjarri. Njoftimi i MPB-së nuk specifikoi nëse Selmani ishte pjesë e UÇK-së.

Familja e Osman Selmanit i ka cilësuar akuzat e Prokurorisë së Serbisë si të pabazuara dhe të pavërteta. Ata deklaruan besimin e tyre në pafajësinë e tij dhe shprehën bindjen se drejtësia do të triumfojë.

Serbia ka arrestuar shpesh shtetas të Kosovës gjatë viteve të fundit, nën pretendime për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.