Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë u prit nga autoritetet lokale, përfaqësues të Kishës, banorë dhe emigrantë. Ndalesa e parë ishte në varrezat ku prehen emigrantët dhe refugjatët e mbytur në Mesdhe. Papa u lut në heshtje dhe vendosi trëndafila të bardhë e të verdhë mbi varret e tyre.
Në fjalën e tij, Papa Leoni XIV theksoi se Lampedusa është pika ku dëgjohet më qartë thirrja e migracionit drejtuar Evropës. Ai vlerësoi se Evropa ka aftësitë dhe përgjegjësinë për të përballuar krizën migratore. Kjo duhet bërë përmes një strategjie afatgjatë që kombinon ndihmën humanitare me politika zhvillimi. Qëllimi është mirëpritja, integrimi dhe mbrojtja e migrantëve, si dhe mbështetja e zhvillimit për të parandaluar emigrimin e detyruar.
Papa theksoi se komunitetet e krishtera duhet të jenë një strehë e sigurt për të gjithë. Autoritetet italiane njoftuan se aktualisht në qendrën e pritjes në Lampedusa ndodhen 136 migrantë, mes tyre 51 të mitur të pashoqëruar. Në përfundim të vizitës, Papa Leoni XIV pritet të takojë një delegacion prej rreth 20 migrantësh në skelën e ishullit, e cila mban emrin “Skela e Papa Françeskut”.