Presidenti i Shqipërisë përfiton një pagë mujore bruto prej 4,470 euro, ndërsa Kryeministri merr 4,130 euro. Këto paga janë përkatësisht 5.2 dhe 4.8 herë më të larta se paga mesatare në Shqipëri, duke e renditur vendin në krye të rajonit për këtë diferencë.

Krahasuar me homologët e tyre në Ballkanin Perëndimor, paga neto e Presidentit shqiptar është rreth 3,400 euro, ndërsa ajo e Kryeministrit arrin gati 3,200 euro. Kjo shifër e fundit e bën Kryeministrin shqiptar më të paguarin në rajon, duke tejkaluar edhe pagat bruto të shumicës së kryeministrave të tjerë ballkanikë.

Edhe pse Bosnja dhe Hercegovina ka paga të larta për drejtuesit e saj (mesatarisht 4,600 euro për presidentët dhe 4,000 euro për kryeministrat), diferenca me pagën mesatare kombëtare është më e vogël se në Shqipëri, për shkak të një page mesatare më të lartë në Bosnjë.

Vende të tjera të rajonit si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë paga mesatare mujore më të larta se Shqipëria. Megjithatë, pagat e drejtuesve të tyre të lartë janë dukshëm më modeste. Për shembull, Presidenti serb përfiton 2,740 euro bruto, ose 2.1 herë më shumë se paga mesatare në vend, ndërsa Kryeministri serb merr rreth 2,300 euro, ose 1.8 herë mbi mesataren. Në Kosovë, Presidenti ka një pagë bruto prej 1,980 euro, ndërsa Kryeministri 1,870 euro.

Kjo analizë tregon një kontrast të theksuar mes pagave të larta të drejtuesve në Shqipëri dhe rritjes më të ngadaltë të pagës mesatare në raport me vendet e tjera të rajonit.