Osmani, përmes një postimi në Facebook, deklaroi se të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë financimin, hartimin e dokumentacionit, sigurimin e fondeve, shpronësimet, procedurat administrative dhe shpalljen e tenderit, janë realizuar plotësisht gjatë qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Reagimi i Osmanit erdhi pas deklaratave të zv.ministres së Transportit nga VLEN, Kaltrina Zekolli Shqiri. Ajo akuzoi BDI-në se e ka përdorur projektin e autostradës Shkup-Bllacë si mjet për të mbledhur vota ndër vite.
Osmani theksoi se VLEN nuk ka bërë asnjë hap për të avancuar projektin gjatë dy viteve të fundit. Përkundrazi, sipas tij, përpjekja e vetme e tyre ka qenë bllokimi dhe devijimi i trasës. Ai shtoi se ndërtimi i dy kilometrave të parë nga BDI-ja pamundësoi shndërrimin e projektit nga autostradë në rrugë magjistrale.
Sipas Osmanit, VLEN nuk mund të marrë merita për një projekt ku nuk ka kontribuar asgjë.