Osman Stafa akuzoi qeverinë për lënien e pacientëve pa shërbime dhe ilaçe, ndërsa fondet publike, sipas tij, janë shpërdoruar në projekte të tjera. Ai vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke theksuar se nuk ishte parë kurrë më parë një rezistencë e tillë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Stafa kujtoi rastin e protestuesit Altin Hila, i cili ndodhet në burg, ndërsa familja e tij vijon të marrë pjesë në protestë. Ai ngriti shqetësimin për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në spitalet publike.

Stafa përmendi se Reparti i Reanimacionit ka vetëm 30 vende, duke detyruar pacientët të presin. Në Neurologji, sipas tij, mungesa e pajisjeve vë në rrezik jetën e pacientëve me goditje në kokë, duke i detyruar të kërkojnë shërbim në spitale private me kosto të lartë. Ai theksoi gjithashtu mungesën e ilaçeve në Onkologjik, duke akuzuar se paratë po shpenzohen për projekte të tjera, si “Kopshti Eden”, “Tigrat” dhe inceneratorët.