Autoritetet serbe i caktuan një muaj paraburgim Osman Selmanit, i arrestuar në pikën kufitare të Mutivodës nën dyshimin për krime lufte. Sipas prokurorisë serbe, Selmani, në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së, dyshohet se privoi nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq në lagjen “Sofalia” të Prishtinës, më 14 qershor 1999.
Djali i Osman Selmanit, Arbeni, i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ai deklaroi se familja u dëbua nga forcat serbe dhe u zhvendos në Maqedoni, duke qëndruar atje nga 23 maji deri më 20 qershor 1999. Kjo periudhë, sipas Arbenit, përfshin edhe datën e pretenduar të krimit. Ai theksoi se ka dëshmi për vendndodhjen e familjes në Maqedoni gjatë asaj kohe.
Arbeni po ashtu dëshmoi se babai i tij ka udhëtuar shpesh në Serbi pa probleme, për herë të fundit në gusht 2025. Ai bëri apel për ndihmë nga institucionet kosovare për sigurimin e dokumenteve nga NATO dhe OSBE, që vërtetojnë vendndodhjen e babait të tij në periudhën e pretenduar.
Juristi Ardian Bajraktari këshilloi qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin përmes Serbisë, duke e cilësuar si një qasje të gabuar të regjimit serb. Ai kërkoi nga institucionet e Kosovës të angazhohen për të argumentuar të kundërtat e pretendimeve serbe. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi për caktimin e paraburgimit nga Gjykata e Lartë e Beogradit.