Dy shtetas janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pas operacionit të koduar “Vendtakimi”. Ata u arrestuan pasi një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark” përdorej për lëndë narkotike dhe organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit, pronari i lokalit, 56-vjeçari Z. T., dhe G. E., 33 vjeç, u arrestuan në flagrancë. Ky i fundit u kap teksa vendoste baste sportive përmes telefonit celular brenda lokalit.
Nga kontrollet në ambientet e lokalit u sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe tre telefona celularë. Këta celularë shërbenin për vendosjen e basteve sportive, sipas njoftimit të Policisë.