Gjatë operacionit, të koordinuar me agjenci ndërkombëtare si EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX, janë identifikuar katër raste të veprës "marrje me prostitucion". Katër meshkuj kosovarë, dy shtetase të Brazilit dhe dy të Kolumbisë janë arrestuar në lidhje me këto raste.

Në lidhje me kërkimin e lëmoshës, shtatë gra janë arrestuar: katër nga Serbia, dy nga Kosova dhe një nga Mali i Zi. Ato janë hasur me fëmijët e tyre në rrugë duke kërkuar lëmoshë. Trembëdhjetë fëmijë kanë marrë trajtim në qendrat për punë sociale, ndërsa të arrestuarve u është iniciuar rast për veprën penale të "keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës". Kodi Penal i Kosovës parashikon dënim me gjobë dhe burgim nga një deri në pesë vjet për prindërit apo kujdestarët që detyrojnë fëmijët të lypin.

Operacioni përfshiu edhe inspektime në lokale të muzikës live dhe qendra masazhi. Gjashtë lokale të muzikës live dhe dhjetë qendra masazhi janë mbyllur për shkak të shkeljeve administrative. Nga 62 qendra masazhi të inspektuara, janë gjetur 45 shtetase të huaja nga Shqipëria, Tajlanda, Filipinet dhe Malavi. Policia deklaroi se asnjë nga punëtorët e takuar nuk ka rezultuar viktimë e trafikimit me qenie njerëzore.