Operacioni “Global Chain” u fokusua në luftën kundër shfrytëzimit seksual, punës së detyruar, kriminalitetit të detyruar dhe lypjes së detyruar, me theks tek fëmijët. Nga viktimat e identifikuara, 162 ishin të mitur. Shumica e viktimave ishin gra të trafikuara për shfrytëzim seksual.

Europol njoftoi se 334 nga të arrestuarit dyshohen për trafikim të qenieve njerëzore, ndërsa 690 të tjerë për vepra penale të lidhura. Gjithashtu u identifikuan 201 të dyshuar shtesë dhe 80 raste të mashtrimit me dokumente.

Mbi 40 mijë efektivë policie, roje kufitare, inspektorë pune dhe autoritete doganore morën pjesë. Ata kontrolluan mbi 565 mijë persona, 360 mijë dokumente identiteti, 140 mijë automjete, mbi 20 mijë lokacione dhe më shumë se 6 mijë fluturime e anije.

Shqipëria ishte pjesë e Qendrës Evropiane të Operacioneve së bashku me 42 shtete të tjera. Koordinimi operacional u krye nga qendra në Shkup dhe Rio de Janeiro.

Operacioni goditi rrjete kriminale në disa vende, duke rezultuar në shpëtimin e viktimave, sekuestrimin e pasurive dhe çmontimin e grupeve të përfshira në shfrytëzimin e të miturve. Europol theksoi se platformat online dhe rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë nga trafikantët për rekrutim dhe shfrytëzim.