Diptiku, i cili përbëhet nga tragjedia “Suor Angelica” dhe komedia “Gianni Schicchi”, u prit me entuziazëm nga publiku. Regjisori Luca Ramacciotti dhe dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli drejtuan një kastë të përzier me artistë vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë sopranon italiane Donata D’Annunzio Lombardi dhe baritonin shqiptar Gëzim Myshketa.

Opera “Suor Angelica” rrëfeu historinë tragjike të një murgeshe të detyruar të jetojë në manastir si ndëshkim, e cila mëson për vdekjen e djalit të saj. Performanca e D’Annunzio Lombardit në rolin kryesor ishte prekëse, ndërsa mexosopranoja Ivana Hoxha shkëlqeu si Tezja Principessa. Regjisori Ramacciotti e përshkroi “Suor Angelica” si një operë shpirtërore që flet për dashurinë e nënës.

Pjesa e dytë, “Gianni Schicchi”, ofroi një komedi të mprehtë mbi lakminë dhe mashtrimin brenda një familjeje fisnike fiorentine. Gëzim Myshketa, në rolin e Gianni Schicchit, interpretoi me mjeshtëri duke mashtruar familjarët e të vdekurit për trashëgiminë, ndërsa sopranoja Zana Abazi-Ramadani interpretoi arien e famshme “O mio babbino caro”.

Meriton Ferizi, ushtrues detyre i drejtorit të Operës së Kosovës, theksoi se realizimi i këtij diptiku shënon një sfidë të madhe në kuadër të pesëvjetorit të themelimit të Operës, sidomos duke pasur parasysh mungesën e një salle adekuate. Artistët dhe stafi, me mbështetjen e ekspertëve nga Italia dhe Bullgaria, transformuan një sallë periferike në një skenë operistike. Ky sukses e shtyn Operën e Kosovës të mendojë për titujt e ardhshëm, pavarësisht se institucioni funksionon ende në bazë projektesh dhe pa një ansambël të vetin.