Gazmend Oketa, ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskryeministër, dëshmoi të hënën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ai theksoi se klubi nuk paraqiste asnjë interes për Ministrinë e Mbrojtjes.

Oketa shpjegoi se gjatë mandatit të tij, ministria drejtonte një personel të gjerë dhe ai kishte aplikuar politika të delegimit të kompetencave tek vartësit për ndjekjen e praktikave zyrtare. Sipas tij, Klubi Partizani nuk konsiderohej një pronë e dobishme apo e përdorshme për ushtrinë, pasi administrohej nga persona privatë.

Ish-ministri sqaroi se ish-pronarët e tokës dispononin dokumente të rregullta shtetërore, përfshirë edhe kryerjen e pagesave. Ai argumentoi se nuk ekzistonte asnjë arsye përse Ministria e Mbrojtjes duhej ta mbante atë pronë, duke qenë se ajo kishte dalë nga “plani i përhapjes” së ushtrisë. Oketa saktësoi se çështja e pronës i ishte paraqitur si praktikë e plotë dhe se pronarët kishin kryer pagesat përkatëse.

Gjatë dëshmisë, Oketa mohoi të mbante mend ndonjë autorizim të ushtarakëve për vlerësimin e pronës, duke theksuar se kishin kaluar 18 vjet. Ai shtoi se, me përgjigjen nga Këshilli i Ministrave, kishte dhënë direktivën për ndjekjen e procedurave ligjore, për sa kohë pronarët kishin dokumente shtetërore. Sipas Oketës, pas vitit 1990, shumë prona të Ministrisë së Mbrojtjes u konsideruan të tepërta dhe dolën nga plani i përhapjes.