Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka konfirmuar praninë e El Niños në Oqeanin Paqësor tropikal. Fenomeni pritet të përshkallëzohet, duke sjellë valë të nxehtit, thatësira, reshje të dendura shiu dhe mot ekstrem në shumë rajone të botës.

Sipas OBM-së, El Niño zakonisht ndodh çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat nëntë deri në dymbëdhjetë muaj. Ai rrit temperaturat sipërfaqësore të oqeanit në Paqësorin qendror dhe lindor, duke ndryshuar modelet globale të erërave, presionit dhe reshjeve. Ky ndikim shtrihet fuqishëm edhe në temperaturat globale të vitit pasardhës.

Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo, theksoi se El Niño, tashmë i pranishëm, do të forcohet shpejt, duke rritur rrezikun e thatësirave, shirave të rrëmbyeshëm dhe valëve të nxehtit në tokë e det në shumë zona. Parashikimet tregojnë një rritje të vazhdueshme të temperaturave të oqeanit në Paqësorin qendror dhe lindor, me siguri të lartë.

El Niño pritet të forcohet më tej nga shtatori në nëntor, me efekte që do të ndihen në shumë rajone. OBM-ja parashikon temperatura mbi normalen në të gjitha zonat e banuara, përveç poleve, nga korriku deri në shtator. Reshje mbi normalen priten në Paqësorin qendror dhe lindor, ndërsa nën normalen në pjesë të Oqeanit Indian, nënkontinentin Indian, Australi dhe Bririn e Afrikës.

Për Evropën, parashikohet një kontrast i fortë veri-jug, me më shumë shi në jug dhe më pak në veri, megjithëse me një shkallë më të ulët sigurie krahasuar me rajonet e tjera.